Igballe Berisha Huduti ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ai e etiketoi si “motra” e gjeneralit të Teheranit, Kasem Sulejmani, i cili u vra në luftën me SHBA-në.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Huduti shprehet se pjesëmarrja e saj në protestë nuk buron nga interesa personale apo përfitime, por nga motive patriotike dhe qytetare. Ajo nënvizon se fjala dhe zëri i saj do të mbeten në funksion të së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.
Ajo thekson gjithashtu se është shqiptare dhe se ndien përgjegjësi për fatin e kombit, teksa bën apel për dialog.
Reagimi i plotë:
I nderuar Kryeministër Edi Rama.
Pjesëmarrja ime në protestë nuk lidhet me përfitime, por me bindje qytetare dhe patriotike. Vij nga një familje shqiptare dhe në jetë kam përballuar sprova, padrejtësi dhe vështirësi të shumta. Pikërisht për këtë nuk mund të qëndroj në heshtje përballë padrejtësive që godasin popullin tim.
Edhe nëse një ditë trupi im nuk do të jetë më, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë t’i shërbejnë të vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Në protestë nuk dal i shtyrë nga urrejtja për askënd, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të flasë kur mendon se po dëmtohet interesi publik.
Ju bëj thirrje juve, çdo udhëheqësi botëror dhe BE-së që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka dëshmuar se nuk ekziston pushtet më i fortë sesa vullneti i një populli të ndërgjegjshëm. Besoj se rruga më e mirë për të shmangur përçarje dhe konflikte është dialogu, drejtësia dhe respekti për qytetarët.
Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti ushtrohet me drejtësi, ai kthehet në bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për atë që e mban.
Jam shqiptare dhe e ndiej veten përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se vlera e njeriut matet me shqetësimin për hallet e të tjerëve dhe me përpjekjen për të dhënë kontribut për të mirën e përbashkët.
Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.

