Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.
Pak ditë më parë, Berberi u largua nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut. Pas shkarkimit, ai ishte caktuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Analizës.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve, këtë të enjte Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku dyshohet se ka përdorur fjalë fyese dhe ka kërcënuar zyrtaren për shkak të uljes së tij në detyrë.
Pas këtij episodi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat e hetimit disiplinor ndaj tij për sjelljen e pretenduar.
Në të njëjtën kohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka bërë kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke e akuzuar ish-drejtorin për ofendime dhe kërcënime të ushtruara ndaj saj gjatë ushtrimit të detyrës.
Rasti ndodhet në verifikim nga AMP, ndërsa pritet të sqarohen plotësisht rrethanat e ngjarjes.
