I zhdukur pa gjurmë, flet i biri i biznesmenit: Konsumonte kokainë, kishte borxhe por ia lava unë!

Janë zbardhur detaje të reja nga pengmarrja e dyshuar në Kamëz ku shtetasi Ruzhdi Hoxha është zhdukur pa asnjë gjurmë.

Edhe vetë Policia e ka regjistruar ngjarjen për rrëmbim dhe pengmarrje duke zgjeruar hetimet mbi motivet e kësaj ngjarje. 43-vjeçari banues në Paskuqan, rezulton i zhdukur prej datës 20.10.2021.

I biri ka folur për mediat duke rrëfyer se i zhdukuri, Ruzhdi Hoxha konsumonte kokainë. Ai ka shtuar se familja e tyre ka pasur probleme edhe me borxhet duke deklaruar se ka qënë vetë i biri që ia ka shlyer ato.

Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë familjarët kanë deklaruar se kjo nuk është hera e parë që biznesmeni është larguar nga banesa, por kësaj radhe “largimi” ka zgjatur shumë.

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me zhdukjen e biznesmenit nga Kamza, rast që u bë i ditur ditën e sotme.

Kujtojmë këtu, se personi i fundit që ka pasur kontakt me biznesmenin, ka qenë shoku i vet, i cili ka pasur edhe probleme me drejtësinë italiane.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 24.10.2021, shtetasi S. H. ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.5, se më datë 20.10.2021, rreth orës 23:00, është larguar nga banesa babai i tij, shtetasi Ruzhdi Hoxha, 43 vjeç, banues në Paskuqan, dhe prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të. (Njoftimi i publikuar në ëeb-in e Policisë së Shtetit, në përmbledhjen 72-orëshe, më datë 25.10.2021

Menjëherë pas denoncimit të marrë, Sektori i Hetimit të Krimeve të Renda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr.5, kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin duke verifikuar çdo informacion dhe kanë kryer kërkime e kontrolle në ambiente e vende të ndryshme.

Veprimet procedurale shtesë i janë dërguar Prokurorisë dhe mbi bazën e tyre është regjistruar procedimi penal Nr.7713, datë 27.10.2021, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Nga strukturat e DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna e pandërprerë për gjetjen e shtetasit Ruzhdi Hoxha, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /albeu.com/