I vuri flakën mbeturinave në Nartë, arrest me burg për 38-vjeçarin

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Eduart Ismailajn, 38-vjeçarin i cili dyshohet si zjarrvënës në zonën e Jallit në Nartë.

Gjyqtari Artan Çirraga e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarit. Ismailaj akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, në bazë të nenit përkatës të Kodit Penal.

Pak ditë më parë, 38-vjeçari dyshohet se i vuri flakën mbetjeve plastike dhe gomave në vendgrumbullimin e inerteve në Jallë të Nartës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ajrit.

Pas arrestimit, Ismailaj u referua në Prokurori, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.


Shtuar 3.07.2025 20:37

Tags: ,