I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, arrestohet 59-vjeçari në Kavajë

Policia ka bërë të mundur arrestimin e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. 59-vjeçari me iniciale N. D., do të ekstradohet në Itali pasi Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Njoftimi i policisë:

Kavajë

Finalizohet operacioni policor “Ndjekja”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 59-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit N. D.(D.), 59 vjeç, banues në Lushnjë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë./albeu.com


Shtuar 18.05.2021 09:04