Erion Alibej, i arrestuar nga SPAK si porositës dhe financues i disa prej vrasjeve më të bujshme të ndodhura gjatë viteve të fundit, ka pranuar të flasë për tre prokurorët që po ndjekin hetimet e operacionit “Plumbi i Artë.”
Kështu, Alibej është kthyer në bashkëpunëtorin dhe të penduarin e pestë të SPAK pas Klevis Allës, Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhës dhe Euglent Halilit.
Alibej ka treguar për disa ngjarje kriminale ku është përfshirë edhe vetë.
Rrëfimi i tij lidhet me vrasje, për të cilat ai pretendon se ka dije për personat që i kanë kryer dhe financuar ato.
Bashkëpunimi i të arrestuarit Alibej me drejtësinë, mund të sjellë një valë të dytë arrestimesh nga SPAK pasi ai ka treguar emrat e mbi 30 personave të përfshirë në ngjarje kriminale.
Kush është Erion Alibej?
Alibej u prangos nga policia në 19 Shtator 2020 teksa ndodhej në masën e “arrestit në shtëpi” për plagosjen dhe kanosje me armë ndaj Xhon Rustës, ngjarje kjo e ndodhur në 2018 në Elbasan.
Prej kësaj date ai po mbahej i izoluar në burgun 313 në Tiranë si person i dyshuar i vrasjes së Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit (Ilit të Elbasanit).
Por për më shumë se dy vite, Erjon Alibej që njihet me nofkëm “Krymi”, nuk pranoi autorësinë e vrasjes së dy personave, duke pretenduar se i penduari i prokurorisë, Euglen Halili, pjesëmarës në dy vrasjet gënjente në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve, shkruan Albeu.com.
Me kapjen e Nuredin Dumanit, në fund të muajit Mars 2022 në Fier dhe realizimin e operacionit “Plumbi i artë” në 18 Maj 2022, akuza të reja u shtuan për Erjon Alibej.
Pasi njeriu me të cilin ai kishte ndarë shumë biseda dhe plane vrasjesh, ishte penduar duke kaluar në krah të prokurorëve të SPAK.
Pas dy vite e gjysëm në qeli dhe teksa SPAK, e mori të pandehur për vrasjen e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit, në Tetorin e vitit të kaluar SPAK tërhoqi dosjen kundër Alibej, pasi ky i fundit kishte pranuar të fliste në prokurori.
Arkitekti dhe sponsorizuesi i 7 vrasjeve në Elbasan, Durrës dhe Peqin pranoi të flasë në këmbim të dhënies së statusit të bashkëpuntorit, dënimit të ulët për krimet e rënda dhe rifitimit shpejt të lirisë.
Veç 7 vrasjeve të realizuara, Alibej ka qënë arkitekti i planit për të kryer vrasjen e Altin Ndocit, Kel Kamamit, Talo Çelës, vëllezërve Çopja.
Këto 4 tentativa dështuan, për shkak të pamundësisë për të kapur në kohë dhe në vendin e duhur objektivin.
Erion Alibej dyshohet se ka gisht edhe vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës i ekzekutuar në Bradashesh në shtator të 202.
Erion (Andrea) Alibej (Dylgjeri), rezulton i përfshirë edhe në trafikun e kokainës në Itali.
Ai është arrestuar bashkë me vëllain e tij të ndjerë në vitin 2013 në Itali, në kuadër të një operacioni antidroge, konkretisht në fushën e kokainës, shkruan Albeu.com.
Atëherë ai ishte 27 vjeç dhe u kap bashkë me vëllain e tij, Endritin që ishte 29 vjeç.
Ky i fundi ishte drejtuesi i një grupi të madh kriminal ku kishte edhe 10 shqiptarë të tjerë.
Hetimet ndaj organizatës nisën në maj të vitit 2011, fillimisht ndaj një grupi të tregtarëve të vegjël të drogës në Asti dhe Torino.
Endrit dhe Erion Alibej, i përkisnin një organizate transnacionale shqiptare me veprimtari midis Roterdamit dhe Amsterdamit në Holandë dhe Torinos, të cilët kishin ruajtur 15 kg kokainë të fshehur në apartamente të ndryshme, përfshirë edhe dy në Asti, për ta shitur më pas në disa provinca në veri dhe qendër të Italisë prej më shumë se 330.000 €.
Operazioni “Cocash” që zgjati përreth 2 vjet nga gushti i vitit 2011 deri në qershor 2013 dhe është shtrirë krahas veriut të Italisë edhe në Holandë i vuri ata në pranga.
Endrit Alibej, 29-vjeçari i arrestuar në atë kohë përdorte disa emra madje edhe te shtetësive te ndryshme.
Ai përdorte gjithashtu emrin Endrit Dylgjeri apo Ravik Dylgjeri.
Gjithashtu ai përdorte dokumentet si shtetas rumun Gabriel Manu apo si shtetas grek me emrin Dimitrios Kriporis.
Ndërsa vëllai i tij, Erion Alibej, përdorte dy emra të tjerë Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej.
Vëllai i Erion Alibej, Endriti u vra në sy të gruas dhe fëmijëve.
Tre ditë para ndryshimit të viteve në dhjetor të 2018-ës, Endrit Alibej 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe Erdal Durunay, 51 vjeç, shtetas turk, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”.