I pajisur me automatik dhe po tentonte të mbillte kanabis, arrestohet 35-vjeçari i rrezikshëm në Mamurras

Një 35-vjeçar i identifikuar si Xhan Kaçi është vënë në pranga pasi është kapur teksa tentonte të mbillte kanabis. Sipas njoftimit të policisë, mësohet se Kaçi është kapur në vendin e quajtur “Marvalak” në Mamurras, ku po mbillte fidanët e kanabisit.

Ai është vënë në pranga, por efektivët kanë shkuar dhe në banesën e 35-vjeçarit për ta kontrolluar. Aty ka gjetur një armë zjarri të llojit automatik dhe municion luftarak, të cilat janë sekuestruar.

Njoftimi i policisë Kurbin, Lezhë

Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Marvalak”, Mamurras, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike shtetasi Xh. K., 35 vjeç, banues në Mamurras, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në territorin përreth, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”./albeu.com/


Shtuar 24.06.2021 10:25