I nxehti dhe sëmundjet e zemrës, mjeku: Shmangni futjen në ujë të ftohtë!

Gjatë verës, i nxehti është armiku kryesor i personave që vuajnë nga patologji kardiake. Mjeku kardiolog, Taulant Gishto, shpjegon se të rrezikuar nga temperaturat e larta janë edhe të rinjtë.

Bashkë me verën vjen edhe rreziku që i nxehti shkakton në shëndetin e qytetarëve.

Ekspozimi për një kohë të gjatë në diell na rrezikon të gjithëve njëlloj, por më të riskuar janë ata që vuajnë nga patologji kardiake.

Mjeku kardiolog,Taulant Gishto, shpjegon se askush nuk është imun ndaj temperaturave të larta, madje problemet me zemrën gjatë kësaj stine mund të shfaqen edhe te të rinjtë.

“Ka një diferencë temperaturash midis të qëndruarit jashtë në diell dhe futjes në ujë të ftohtë në det. Kjo shoqërohet me fatalitete. Ky është problemi i sëmundjeve kardiovaskulare të fshehura. E konsiderojmë më të rrezikshëm një pacient që është 45-55 vjeç i cili mund të ketë pllaka të vogla që çahen shumë shpejt sesa një pacient që ka një sëmundje të vjetër me pllaka të kalcifikuara”.

E rëndësishme gjatë ditëve të nxehta është shmangia e orëve të pikut, por edhe konsumimi i ushqimit të shëndetshëm.

Mjeku Gishto jep këto këshilla për qytetarët.

Mjeku kardiolog, Taulant Gishto

“Pacientët kardiovaskularë kronikë duhet të marrin gjithmonë ilaçet me vete. Në pushime të kujdesen njëlloj si në pjesën tjetër të vitit. Ekspozimi në diell duhet të jetë minimal. Paradite poshtë 11 dhe pasdites pas 5 dhe të evitojnë futjen menjëherë në ujë të ftohtë”.

Të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sëmundje e mendore, sëmundjet e veshkave, gratë shtatzëna janë më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta./oranews

Shtuar 20.06.2021 12:18