I njohur si ‘Pele i Palestinës’, vritet në Gaza futbollisti Suleiman Al-Obeid

Suleiman Ahmed Zaid al-Obaid, i njohur ndryshe si “Pele i Palestinës” është vrarë në moshën 41-vjeçare. Ish-kapiteni i ekipit kombëtare të Palestinës humbi jetën në pritje të ndihmave humanitare dhe sipas autoriteteve në Gaza, ai u vra nga një sulm izraelit “që synonte civilët”. Al-Obeid lë pas pesë fëmijë dhe një trashëgimi futbollistike të pasur me talent.

Karriera e tij filloi me Khadamat Al-Shati, përpara se të vazhdonte me Al-Amari në Bregun Perëndimor dhe Club Deportivo Gaza. Me mbi 100 gola, përfshirë një goditje spektakolare me kokë kundër Jemenit në vitin 2010, Al-Obeid ishte një nga yjet më të ndritshëm në futbollin palestinez, duke luajtur 24 ndeshje për ekipin kombëtar dhe duke përfunduar dy herë si golashënuesi më i mirë në ligën lokale (2015-16 dhe 2016-17).

“Suleiman Al-Obaid, një ish-lojtar i ekipit kombëtar të Palestinës, u vra në një sulm izraelit që synonte civilët që prisnin ndihmë humanitare në jug të Gazës”, tha në një deklaratë Shoqata e Futbollit të Palestinës (PFA).


Shtuar 7.08.2025 15:56