I mori jetën kamioni që punonin, reagon policia: Viktimat janë dy të rinj

Kanë dalë detaje të reja lidhur me aksidentin në Vlorë, ku një kamion u rrëzua dhe për pasojë humbën jetën 2 persona.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se viktimat janë dy të rinj, të moshave 28 dhe 32 vjeç.

Bëhet fjalë për shtetasit  A. B., 32 vjeç, banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Lushnje.

Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e sotme në bypasin Orikum-Kaninë.

Drejtuesi i kamionit së bashku me pasagjerin kishin ngarkuar kamionin me zhavor dhe ishin duke zbritur nga zona e Kaninës për në Orikum.

Nuk dihet nëse ka pësuar defekt apo nuk kanë funksionuar frenat, por drejtuesi i automjetit i cili nga frika se mos dilte nga rruga dhe binte poshtë në humnere është kthyer në mes të rrugës dhe është përplasur me anën e shkëmbit.

Përplasja ka qenë shumë e fortë sa të dy trupat kanë dalë nga xhami i kamionit, dhe ngarkesa me zhavor i ka mbuluar të dy trupat.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion shtesë

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë më parë, ku në bypasin Orikum-Kaninë, është rrëzuar një kamion, sqarojmë se kanë ndërruar jetë drejtuesi i kamionit shtetasi A. B., 32 vjeç,banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Lushnje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe  po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/