Koço Buzo i cili në muajin Maj 2021, ekzekutoi me automatik në sy të fëmijëve gruan e tij, Liljana Buzo është dënuar me 3 vite burgim nga gjykata e Elbasanit.
Buzo u deklarua fajtor dhe u dënua nga gjyqtari Taulant Tafa, për akuzën e “Dhunës në Familje”.
Ky dënim nuk lidhet me ngjarjen e vrasjes së gruas, por me çështjen e parë penale kundër Koço Buzos, që bën fjalë për dhunimin e bashkëshortes gjatë kohës kur ajo ishte gjallë.ky dënim do të ishte dhënë që në muajin maj, por krimi që ndodhi shtyu gjithçka.
Në ditën kur gjykata e Elbasanit kishte planifikuar të zhvillonte gjyqin kundër Koço Buzos, ky i fundit është paraqitur me vonesë në gjykatë. Djali i të pandehurit, nga salla e gjyqit ka telefonuar babain e tij, duke e pyetur se ku ishte, por Koço, ia ka kthyer se për 5 minuta vinte brenda në sallën e gjykimin. Gjyqtarja e çështjes vendosi që të shtyjë seancën gjyqësore, ndërsa të pranishmit në sallën e gjykimit, kanë dalë jashtë.
Mes tyre ishte dhe Liljana Buzo, e cila që në kontaktin e parë me bashkëshortin e saj, Koçon, ka rënë pre e sulmit me armë. Koço Buzo u paraqit me armën që e mbante në një çantë sportive me të cilën kishte planifikuar të kryente vrasjen e gruas, gjë të cilën e realizoi jashtë ambjenteve të gjykatës.
Për këtë krim të rëndë nuk ka nisur ende gjyqi. Që prej vitit 2020, viktima Liljana Buzo kishte denoncuar të shoqin Koço Buzo për dhunë e kërcënime të vazhdueshme. Dhe si për ironi të fatit, Buzo e mori dënimin për dhunë në familje, pasi vrau gruan. /oranews