Xhinset mund të jenë veshja më e përdorur në botë, edhe pse është shumë e vështirë të gjesh masën dhe prerjen e duhur që në modelin e parë që të pëlqen. Ndaj na ndodh që të mbetemi me dy-tre palë që s’i ndërrojmë me asgjë në botë, e na duhet ta mendojmë mirë kur duhet t’i fusim për t’i larë.
Për shpeshtësinë e larjes së xhinseve ka teori e teori, që nga ata që besojnë se duhen larë pas dy veshjesh deri tek ata që janë më praktikë: 2 herë në muaj. Gjithsesi, si përfundim xhinset NUK duhen larë as më shpesh e as më rrallë se 1 herë në 6 ditë.
Mos ju duket jo higjienike? Epo, sipas ekspertëve, mikrobet dhe bakteriet që grumbullohen tek xhinset kur i mban veshur, janë përgjithësisht të padëmshme. Ndaj, në mënyrë që të mos dëmtohet materiali i tyre, mirë është t’i shtyjmë deri në 6 ditë.
Në fakt, njohësit e mirë të xhinsit, thonë se idealja do të ishte të mos laheshin kurrë. Për t’i ruajtur sa më gjatë ata sugjerojnë pastrimin me furçë dhëmbësh në vendet ku mund të jetë grumbulluar papastërtia, por të gjithë e dimë që kjo në përditshmërinë tonë bëhet e pamundur.
Prandaj jeni të lirë t’i lani 1 herë në 6 ditë. Edhe nëse xhinset dëmtohen, fundja mund të blejmë një palë të tjera.