I këputi këmbën vajzës e nuk hyri asnjë ditë në burg, Prokuroria kërkon ndryshimin e masës

Mbrëmjen e djeshme u bë publik se Jehon Breçani ka dalë nga spitali dhe është transportuar në shtëpi, pasi gjykata vendosi të ndryshonte masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Pas këtij vendimi Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës ndryshimin e masës nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest me burg” për Jehon Breçanin, të riun që përplasi 23-vjeçaren më 10 qershor në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Mjekët u detyruan që t’i prisnin njërën këmbë të resë pas dëmtimeve që mori.

19-vjeçari, po drejtonte makinën luksoze tip “Benz S Class”. Ai hipi në trotuar u përplas me një pemë dhe përplasi këmbësoren.

ARGUMENTET E PROKURORISË:

Referuar kërkesës së Prokurorisë, rezulton se nga faktet e mbledhura prej saj, dëmtimet e shkaktuara ndaj viktimës që në momentin e parë të ngjarjes kanë qenë tepër të rënda, çka ka bërë të detyrueshëm dërgimin e saj në Spitalin e Traumës, ndërkohë që, është konstatuar po ashtu se si pasojë e përplasjes së fortë, e reja e aksidentuar ka humbur njërën nga gjymtyrët e poshtëm, duke i shkaktuar gjymtin të përhershëm në masën 1/3-n e aftësisë së përgjithshme.

Sipas Prokurorisë, referuar rrethanave të ngjarjes, drejtuesi i mjetit nuk ka qenë duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, refruar të gjitha fakteve të mbledhura në vendin e ngjarjes, kjo vepër penale për të cilën akuzohet 19-vjeçari konsiderohet e një rrezikshmërie të lartë, dhe dispozitat përkatëse ligjore përcaktojnë burgimin nga 1 deri në 5 vjet. Ndaj, referuar të gjitha këtyre fakteve dhe argumenteve, Prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës ‘arrest me burg’ për Jehon Breçanin.

 


Shtuar 29.06.2021 13:21