I dha 400 mijë dollarë tender kuzhinierit që punon me djalin e tij, SPAK vë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

SPAK ka vënë në hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollit, pas zbulimit të skandalit se i dha tenderin 400 mijë dollarë kuzhinierit që punon me djalin e tij, Alfio Rrotanit.

Agolli po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Më 27 janar të këtij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fituese të tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menynë e ”100 Fshatrave”, pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale, kompaninë “Mascarpone”, bashkë me personin fizik Endrit Maci.

Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Ndërkohë administratori dhe aksioneri kryesor i kompanisë fituese ‘Mascarpone’ rezulton kuzhinieri i njohur Alfio Rrotani, me 55 % të aksioneve, ndërsa bashkëpronarët e tjerë janë Senad Perfati, Blenardo Rrushi dhe Eljona Sulovari.

Themeluar në dhjetor të vitit 2018, firma fituese në fakt është një bar-restorant që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe që natyrisht frekuentohet nga zyrtarët e niveleve të ndryshme të FSHZH-së, pa përjashtuar as zyrtarët kanë firmosur letrat e tenderit.

Alfio Rrotani ka rolin kryesor në krahun e përfituesve të parave publike me anë të projektit të diskutueshëm të FSHZH.

Ka dyshime për një lidhje financiare mes Alfio Rrotanit dhe Flladi Agolli, i cili është djali i kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Flladi Agolli është pronar i kompleksi “Bedouin Beach & Bar”, në plazhin e Hamallajt. Kompleksi është pjesë e kompanisë Hospitality Management & Services Shpk që ka aksionar të vetëm djalin e Dritan Agollit.

Në media është raportuar se Alfio Rrotani ka punuar si shef kuzhine pikërisht në restorantin e djalit të kreut të FSHZH.

Nga ana tjetër, Dritan Agolli ka theksuar se fituesi i tenderit, Alfio Rrotani, nuk ka punuar te restoranti i djalit të tij, por Rrotani është kontraktuar nga Flladi Agolli për të realizuar menunë e lokalit.


Shtuar 2.02.2022 09:54