I dënuar në Itali për trafik droge, kush është 54-vjeçari i arrestuar në Durrës

Falë operacionit të koduar “Perugia, shtetasi Arian Malo, ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

54-vjeçari i dënuar nga drejtësia italiane me mbi 5 vite burg, u arrestua nga policia e Durrësit.

Njoftimi i policisë:

“Operacioni nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me FAST Albania në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”.

I dënuar me burgim, nga autoritetet gjyqësore në Itali, për disa vepra penale në fushën e narkotikëve dhe në atë të krimeve ekonomike, arrestohet provizorisht për t’u ekstraduar, 54-vjeçari.

Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të operacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u kap në kuadër të operacionit “Perugia”, dhe u vu në pranga provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Arian Malo, 54 vjeç.

Gjykata e Apelit e Perugias e ka dënuar 54-vjeçarin, me 4 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mospagimi i taksave dhe sigurimeve shoqërore” dhe “Deklarimi i rremë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët, për të kryer ekstradimin e shtetasit Arian Malo, në Itali”, njofton policia.


Shtuar 17.12.2023 10:25