I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit, ish-efektivi grek kërkon lirinë

Ish-efektivi i forcave speciale greke, Efthimious Efthimiou, i dënuar përjetë për vrasjen e Devi Kasmit, kërkon pafajësinë në Gjykatën e Lartë.

Efthimiou ka kundërshtuar në këtë gjykatë vendimin e Apelit të Posaçëm, që i dha formë të prerë mbylljes së tij përjetë në qeli.

Gjykatës së Lartë i është drejtuar edhe i bashkëpandehuri i tij, Elton Halipaj, i cili është dënuar me 35 vite burg për të njëjtën ngjarje.

Devi Kasmi u qëllua mbrëmjen e 29 janarit 2018 në Tiranë, poshtë pallatit ku banonte në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’. Ish-efektivi grek u kap nga një kamera sigurie teksa largohej nga vendngjarja me një furgon të bardhë.

Në vijimësi, Efthimious ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, duke pretenduar se nuk është ai autor i ekzekutimit. Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme vijon gjykimin në mungesë për Altin (Aurel) Hoxhallarin, i akuzuari i tretë si i përfshirë në ekzekutimin e Kasmit.


Shtuar 9.07.2021 16:36