I dënuar me 25 vite burgim, del nga qelia e dëshmon në gjyqin ndaj Çapjave në SPAK

Armand alias Butrint Hasani, një i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Sokol Çapjas në 2015 në Elbasan, është transportuar nga ambientet e burgut të Peqinit në Gjykatën e Posaçme SPAK.

Mësohet se Hasani është paraqitur me forca policie, në cilësinë e dëshmitarit në procesin penal që po zhvillohet kundër, Ervis Bardhit, Ardjan Çapjas, Klajdi Dokolit dhe Etien Canit, të cilët akuzohen se kanë kryer në bashkëpunim vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 15 gusht 2012 në Elbasan.

I dënuari me 25 vite burgim, u është përgjigjur në seancë pyetjeve të prokurorit duke treguar se me viktimën Gentian Beqiri, njiheshin, ishin shokë dhe se të dy kanë qëndruar në një burg, kur ata së bashku akuzoheshin për vrasjen e Sokol Çapjas.

Hasani, ka treguar se edhe me të pandehurin Ervis Bardhi, njihej pasi ka qëndruar me të në burg, gjatë kohës kur Bardhi është arrestuar herën e parë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.

Ndërsa për sa i përket detajeve dhe rrethanave të vrasjes së Gentian e Nezirir Beqirit, dëshmitari Butrint Hasani, është përgjigjur në gjykatë se nuk kishte dijeni se çfarë ka ndodhur pasi ai në atë periudhë ka qenë në burg.

Ndërsa nuk është shprehur, nëse ai vetë apo familjarët e tij kishin marrë kërcënime apo të kenë pasur konflikte nga anëtarë të familjes Çapja.

Në seancën e sotme gjyqësore është marrë në pyetje dhe Erion Meka, pronari i makinës tip Mercedes, që u gjend e djegur në Elbasan pas kryerjes së krimit.

Meka ka treguar se makinën e kishte shitur 8 milion lekë, tek dy persona të tjerë, që më pas janë identifikuar nga policia kriminale si Ervis Bardhi dhe Olsi alias Jorgo Leku.

Por këta të fundit, nuk i kishin ndryshuar pronësinë mjetit. Pas shitjes së makinës, Erion Meka, ka treguar se nuk është interesuar më se çfarë kanë bërë më pas këta persona, vetëm kur ka shkuar policia dhe i ka trokitur në derë.

Në procesin gjyqësor, u paraqit sot dhe Qamil Hasa, kunati i të pandehurit dhe bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhit. Hasa ka rrëfyer se Bardhin e ka kunat. Ai i ka treguar gjykatës se Ervis Bardhi, bënte disa punë por jo, që të ketë punuar në servise.

Ai ka treguar gjithashtu se Bardhi kishte rëndë disa herë në burg, ndërsa ka thënë se nuk kishte dijeni që ai të ishte përfshirë në vrasjen e babë e bir.

Vetëm çfarë kemi dëgjuar nëpër media, mësuam se çfarë kishte ndodhur, i tregoi Qamil Hasa, gjykatës.

Sot ishte parashikuar të pyetej në gjykatë dhe Behije Arapi, nëna e Gentianit dhe gruaja e Nezirit, vajza e saj Valbona Beqiri, Aurela Bardhi, gruaja e Ervis Bardhit, polici Neshat Budani, Kujtim Ajazi, Albert Uzuni, Geralda Teta dhe Astrit Cani.

Por për shkak të mos paraqitjes së tyre, gjykata vendosi ti ripërsëritë fletë-thirjen./Ora News/


Shtuar 1.12.2021 19:52