Ngjarja e rëndë e disa ditë më parë në fshatin Brataj të Vlorës, në një gurore ndërroi jetë shtetasi Jurgen Veshi.
Babai i Jurgeni, ka treguar momentet e fundit të të birit para e të largohej nga shtëpia, dhe momentin kur mori vesh lajmin e kobshëm.
Teksa ai ka rrëfyer detajet e rënda, gazetarja Anila Ahmataj, nuk i ka shmangur dot lotët.
“Ishte një fëmijë shumë i edukuar dhe punëtor. Që 12-vjeç kapi kazmën që të mbillte gjëra në kopsht. Kurrë nuk më tha jo. U rrit shumë i ndërtuar si fëmijë, pa vese. Vetëm pranë familjes, ishte djalë i paqes dhe mirësisë jo i konfliktit.
Një djalë që u brymos prej halleve dhe ndjeu peshën e familjes që i vogël. Edhe pse kishte shanse që të ikte jashtë vendit, nuk largohej sepse kishte hallin tonë. Atë mëngjes e përcolla tek dera bashkë me bashkëshorten. I thashë: Mirë ardhsh e më tha “mirë ju gjetsha”. Iku për të mos u kthyer më i gjallë.
Një djalë nga fshati më mori në telefon më tha ka ardhur Jurgeni, jo i thashë. Më tha se ka bërë një aksident në punë.
Mendova se kishte bërë një aksident e kishte lënduar ndonjë këmbë por ai dergjej në mal dhe ende nuk e kishin dërguar në spital. Asnjë nuk ma jepte dot lajmin që djali kishte ndërruar jetë. Ma sollën vetëm në 2 të natës në shtëpi me arkivol”, deklaron ai.