Hodhi në “erë” hotelin e të atit në Sarandë, arrest me burg për Sotir Çabirin

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 36 vjeçarin Sotir Çabir, të dyshuar si autor të shpërthimit me eksploziv të hotel “Bizanti” në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Nga kamerat e sigurisë Çabiri është parë të dalë nga hoteli 3 minuta para shpërthimi, që dyshohet se ka ardhur si pasojë e konfliktit për pronësinë e objektit 700 metër katrorë.

Edhe pse është filmuar nga kamerat, ai ka mohuar akuzat, duke thënë se ishte kthyer në hotel për të marrë diçka, jo për ta shpërthyer.

“Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari.

Ndërkohë sipas policisë, tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

Kujtojmë se prona ka qenë ka qenë objekt procesesh gjyqësore me palë paditëse Dhimitër Evangjeliu dhe të paditur Spiro Çabiri dhe Vangjel Shtuka, që rezultojnë bashkëpronarë në QKB bashkë me Miranda Qabirin.

Sipas policisë, procesi gjyqësor vijon prej vitit 2002, ndërsa fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar.

Por historitë e tritolit nuk janë të panjohura për qytetin e Sarandës.

Në dhjetor të vitit 2022 u hodh në erë muri rrethues i një banese në pronësi të shtetasit Lefter Lefteri.

Ky i fundit më parë kishte punuar në IKMT dhe ishte kallëzuar më herët madje dhe shoqëruar në komisariat lidhur me një objekt në ndërtim e sipër në lagjen nr.1 të qytetit.

Ndërkohë, po vitin e kaluar, hotelit të Mariel Muratit iu vendos tritol për herë të dytë.

Mariel Murati,ishte  ish-Drejtor i ALUIZNI-t Sarandë dhe aktualisht Drejtor i FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) në Sarandë.

Por kjo nuk ishte hera e pare që vendosej lëndë shpërthyese në pronën e Muratit. Më 9 shkurt të vitit 2021, në të njëjtin hotel u vendos sërish një sasi tritoli në tarrace, e cila shpërtheu sapo roja ndezi dritën.  Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar. /albeu.com