Hija e rëndë e SPAK, dorëhiqen dy audituesit e “Integrated Energy” për inceneratorin e Tiranës

Hija e rëndë e SPAK dhe depërtimi i hetuesve të BKH-së brenda llogarive dhe bilancet e kompaninë “Integrated Energy BV SPV”, ka çuar në dorëheqje të menjëhershme të dy ekspertëve auditues, Edlir Shabani dhe Nerisa Kazazi.

Rezulton se ekspertët e dorëhequr, ishin caktuar nga drejtuesit e kompanisë së inceneratorit të Tiranës qysh në 7 shkurt 2023, me qëllim kryerjen e auditimit financiar të “Integrated Energy BV SPV”, për periudhën ekonomike të vitit 2022.

Të lidhura

None found

Ekspertët Shabani dhe Kazazi, kanë pranuar detyrën dhe njëherësh kishin nisur punën.

Por çuditërisht 7 muaj pas marjes së kësaj detyre, dhe 1 muaj pasi gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, vendosi të sekuestrojë kompaninë e inceneratorit të Tiranës, dy audituesit paraqitën dorëheqjen duke braktisur detyrën.

Kazazi dhe Shabani vendosen të largohen në 28 gusht 2023, fiks 1 muaj pasi dy prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Dritan Prençi, i kërkuan Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara(AAPSA), të ekzekutonte vendimin e datës 28 korrik të marë nga gjyqtarja Gjoka, sipas OraNews.

Njoftimi i largimit të tyre fillimisht është bërë tek administratori i këmpanisë “Integrated Energy BV SPV”, Arjan Baçi.

Më pas dorëheqja e tyre është pranuar dhe nga Organizata Profesionale IEKA, e cila në datën 12 shtator 2023 ka vendosur të miratojë dorëheqjen e dy ekspertëve auditues të emëruar nga administrator i mëparshëm i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Herman Daniel Vermeulen.

Ikja e tyre është konsideruar si një shfaqje frike përballë hetuesve të SPAK, që tashmë kanë depërtuar në llogaritë dhe financat e kompanisë që ka fituar konçesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranë.

Ndodhur në këto kushte, administratori i caktuar nga SPAK, Arjan Baçi, në datën 28 shtator 2023, ka vendosur të caktojë dy ekspertë të rinj auditues që i përkasin studios “L.E.A.L Auditing”.

Leze Abazi dhe Eda Bazi, kanë marë në dorë detyrën për të ushtruar kontrollin financiar për sa i përket auditimit të Pasqyrave Financiare për periudhën e vitit 2022 të shoqërisë konçesionare “Integrated Energy BV SPV”, e cila po kryen punime për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në zonën e Sharrës.

Kjo kompani në vitin 2017 u hap nga Klodian Zoto, i cili tashmë është dënuar nga gjykata e Posaçme dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar së bashku me Mirel Mërtirin dhe gruan e këtijj të fundit Stela Gugallja.

Në fund të vitit 2020, Klodian Zoto, ia kalon kompaninë një subjekti tregtar nga Hollanda e quajtur GeoGenix B.V. që përfaqësohet nga David Hugh Hampson dhe Georgi Leonidovich Birman.

Tashmë prej më shumë se dy muaj kjo kompani por edhe dy kompanitë e tjera si “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos dhe “F.M.O SHPK”, janë vënë në sekuestro prenventive nga gjykata e posaçme dhe SPAK.

Inceneratori i Tiranës është i vetmi konçesion i miratuar nga qeveria që SPAK ka hyrë me vonesë, pasi për rastin e inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit, SPAK ka konkretizuar me arrestime dhe dënimin e personave përgjegjës.


Shtuar 3.11.2023 10:48