Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas rasteve të helmimit në Dreçan, ku deri tani mbi 1500 persona kanë shfaqur shenja helmimi.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti i uron shërim të shpejtë teksa thotë se qeveria do u përgjigjet të gjitha nevojave të qytetarëve.
Ai ia delegon punën Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitisë dhe Zëvendëskryeministres Donika Gërvalla pasi vetë kreu i qeverisë ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit. Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.
Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit. Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia.
Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes. Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë.