Hapja e negociatave, KE liston sfidat shqiptare drejt integrimit

Nga Erisa Zykaj-Bruksel

Raporti vjetor i Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian nxjerr në pah problematikat e mprehta që vendi has edhe pas hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE konsiderohet si historik nga Komisioni Europian, por me këtë raport, ekzekutivi europian konfirmon qëndrimin e 27 shteteve anëtare të BE-së, se vendi ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave, por asgjë më shumë.

Kjo pasi në raport evidentohet, se Shqipëria çalon në përmbushjen e kritereve kyçe politike, ekonomike dhe sociale për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, tê drejtave themelore dhe administratës publike.

Shqetësim kryesor mbetet lufta kundër korrupsionit sistemik dhe veçanërisht lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë. Në raport thuhet, se korrupsioni i nivelit të lartë dhe politik duhet të trajtohet në mënyra më vendimtare, pasi ka shenja të konflikteve të forta të interesave publike me ato private. Ndërkohë, që sipas ekzekutivit europian sektori më i prirur për përhapjen e korrupsionit në vend është ai i prokurimit publik.

Shqipëria merr gjithashtu një paralajmërim të fortë për problematikën e pastrimit të parave.

Vendit i kërkohet të zbatojë me përpikmëri të gjithë planin e veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Në raport thuhet qartë, se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër udhëzimeve të të Bashkimit Europian-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë aspekt.

Për forcimin e demokracisë në vend, Shqipërisë i kërkohet të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Në raport evidentohet, se konflikti i madh i brendshëm i shumicës qeverisëse me Partinë Demokratike ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri.

Për lirinë e shtypit, artikulohet, se atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar dhe çdo ndryshim i ligjit për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe në konsultim me organizatat e medias. Sipas raportit, ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdon të jetë pengesë për pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë.

Raporti I Komisionit Europian është i prerë ndaj skemës së njohur si “ pashaportat e arta” duke e cilësuar, si të papajtueshëm me normat e Bashkimit Europian. Nê këtë kuadër, Shqipërisëi i kërkohet të heqë dorë nga zhvillimi i kësaj skeme i dhënies së nënshtetësisë shqiptare për investitorë, për shkak të rreziqeve që një skemë e tillë paraqet lidhur me sigurinë publike të Bashkimit Europian, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit, infiltrimit të krimit të organizuar, si dhe pastrimit të parave.

Në raportin vjetor për Kosovën, fokusi i Komisioni Europian shkon te lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës dhe normalizimii i marrëdhënieve me Serbinë. Ekzekutivi europian, rikonfirmon, se vendi ka përmbushur tê gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Ndêrkohë, që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë trajtohet si një prioritet për stabilitetin dhe të ardhmen e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe avancimin e dy vendeve në rrugëtimin e tyre europian.

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet së pari që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe pa vonesa për të përparuar në dialogun Prishtinë-Baograd, si dhe të zbatojnë të tê gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Dy vendeve u kërkohet gjithashtu t’i japin prioritet e ta trajtojnë si nevojë urgjente arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve midis dy tyre. /abcnews.al