Qeveria shqiptare ka nisur garën ndërkombëtare për kompaninë që do të ndërtojë projektin e Korridorit Blu, konkretisht aksin Milot-Fier.
Rama tha se ky është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e europian, pjesë e European Connectivity Netëork, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë, por ndërkohë lehtëson pafundësisht edhe lidhjen me Kosovën, si edhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë.
Rama tha se me hapjen e kësaj gare bjenë poshtë edhe akuzat se qeveria e kishte paracaktuar kompaninë fituese.
“Nuk bëhet fjalë për një nga veprat e infrastrukturës, por një nga veprat më të mëdha, e shumëpritur prej shumë vitesh, qysh në krye të herës ne arritëm që ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian, e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori në pritje të financimit ishte e gjatë, dhe ndaj ne vendosëm që ta nisnim vetë.
Mundëm që të merrnim të gjithë asistencën e nevojshme, që vazhdon edhe në segmentin Milot Murriqan, që sa të përmbyllet konsulenca do të nisë gara. Që nga hyrja në Murriqan, deri në Fier, ne do të kemi të gjithë boshtin e korridorit blu, që do ti shërbejë të gjitha zonave që janë rreth këtij korridori, do të shërbejë edhe vetë lëvizjes në unazën e Mesdheut.
Do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme turistike, përmes tokës, gjë që deri tani e gëzon gjerësisht Kroacia, edhe për shkak të pozicionit që ka. Unë jam besimplotë që gara do të jetë e suksesshme, që të gjitha ato gjoja që janë thënë, për korrupsion, për firmë të paracaktuar, janë një vrimë në ujë.
Edhe një kompani shumë e madhe që u afrua që ta merrte, nuk arriti që të fitonte tenderin, pasi nuk përfaqësonte interesin që ne kishim. E fundit që kam është se me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e akseve të Shqipërisë’, u shpreh Rama.