Hapen aplikimet për 300 vende në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët

Policia e Shtetit ka njoftuar se sot janë hapur aplikimet për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.

Gjithsej janë 300 vende vakante, ndërsa aplikimet mbyllen në datën 30 nëntor 2023.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë drejtorisë vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

KRITERET PËR APLIKIM

– Të jetë shtetas shqiptar;

– Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;

– Të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;

– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;

– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;

– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;

– Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.