Një raund i ri sulmesh të ashpra ka hapur Moska, që përkthehet si një përgjigje ndaj Ukrainës pas sulmeve ndaj anijeve ruse në Detin e Zi.
Pasi Kremlini paralajmëroi për hakmarrje të ashpër, raketat ruse u gjuajtën në territorin ukrainas, duke goditur kryesisht ndërtesat e industrisë së avionëve Motor Sich.
“Një sulm i ri me raketa ruse u krye kundër vendit tone. Ata goditën Motor Sich dhe rajonin e Khmelnytskyi”, tha në veçanti presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm të transmetuar nga faqet e rrjeteve sociale.
Fabrika e Motor Sich në Zaporizhia ishte goditur nga rusët disa muaj pas pushtimit të Ukrainës. Vjeshtën e kaluar, shteti ukrainas shtetëzoi kompaninë, e cila prodhon kryesisht motorë për avionë, helikopterë dhe drone.