Guvernatori Sejko raporton në Kuvend: Shqipëria ka pasur rritje ekonomike në 2023

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar sot për ecurinë e vitit 2023. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Shqipëria ka pasur rritje ekonomike 3.4% në vitin 2023. Gjatë prezantimit të raportit vjetor, nga Kuvendi, Sejko u shpreh se inflacioni ka rënë.

“Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, i eksportit të shërbimeve të turizmit, politika fiskale në kah konsolidues, zgjerimi i kredisë bankare, inflacioni në rënie dhe rritja e shpejtë të të ardhurave nga turizmi. Ekonomia u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit.

Inflacioni zbriti nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024. Kjo ecuri u ndikua nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare. Rënia e inflacionit u përqendrua fillimisht tek çmimet e ushqimeve dhe të naftës, por ajo u zgjerua më tej edhe tek komponentët e tjerë të shportës.

Kemi punuar për përmirësimin e mëtejshëm të komunikimit dhe të edukimit financiar të publikut, ku gjej me vend të veçoj miratimin e strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin dhe përfshirjen financiare, në fillim të vitit 2024, si dokumenti i parë institucional që promovon edukimin financiar në Kuvend. Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet i orientuar në 3 shtylla kryesore. Në forcimin e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, në përmbushjen e angazhimeve tona institucionale, si dhe në respektimin e të gjithë rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë. Këto parime do të vijojnë të udhëheqin punën tonë edhe gjatë vitit 2024”, tha Sejko.


Shtuar 18.07.2024 18:22