Kuvendi i Kosovës ka diskutuar sërish lidhur me grupin e Kumanovës.
Ka qenë kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se kërkesa për transferim të të burgosurve duhet të jetë individuale, por deri tani s’ka pasur një të tillë, pasi rasti ende është në Gjykatën Supreme në Maqedoninë e Veriut.
“Deri më tani nuk jam njoftuar se është bërë një kërkesë e tillë, pra nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese, pra Maqedonisë së Veriut për t’u transferuar, ajo palë e njofton palën zbatuese, këtë rast Kosovën, porsa vendimi të ketë marrë formë të prerë. Por rasti i Kumanovës është në Gjykatën Supreme dhe rasti nuk ka përfunduar”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i cili edhe bëri pyetjen parlamentare, kërkoi nga kryeministri të tregoj çka kanë bërë që mos të cilësohen si terrorist.
“Çka është bërë që ata mos të cilësohen si terrorist, se këtë në Kuvend është debatuar mbi këtë fushë”, pyeti ai.
Por këtë epitet, siç e quajti të padrejtë, Kurti tha se e ka thënë kolegia e Berishës në PDK, duke aluduar në Blerta Deliun.
“Epitetin e padrejtë ‘terrorist’ e ka thënë kolegia juaj. Ndërkaq, ju tash kinse po brengoseni për djemtë e Kumanovës që mbahen në burg atje. Populli ynë e ka një fjalë të ulët për këtë shprehje dhe sjelljen tuaj. Por unë juve s’po iu them”, tha ai.
Por deputetja Deliu e quajti manipulim deklaratën e kryeministrit Kurti.
“Sot u vërtetua kush ka qenë makineria manipuluese. E saktësoj qartë kryeministri me manipulimin se armata e udhëhequr nga ai që i ka bërë gjatë kohës”, tha ajo./albeu.com/