Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se nesër zhvillohet afati i parë i Testit të Maturës Shtetërore 2026, ku do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra testimi në mbarë vendin.
Sipas njoftimit, mbarëvajtja e testimit do të mbikëqyret nga 1,360 administrues, si edhe nga 750 kryetarë dhe anëtarë komisionesh. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Të lidhura
None found
MASH ka theksuar se të gjithë maturantët duhet të paraqiten në qendrat përkatëse të testimit jo më vonë se ora 09:00, në mënyrë që të përmbyllin me kohë procedurat e identifikimit dhe vendosjes në sallat ku do të zhvillohet provimi.
Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të organizohet brenda një dite të vetme për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Ai përmban 100 kërkesa, përkatësisht 25 për secilën nga katër lëndët: gjuha amtare, gjuha angleze, matematika dhe një lëndë zgjedhore që përzgjidhet nga vetë kandidati/ja.
Ministria ka rikujtuar gjithashtu se mbajtja e telefonave mobilë apo e çfarëdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është kategorikisht e ndaluar. Çdo kandidat/e tek i cili konstatohet posedimi i telefonit ose i një pajisjeje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse ajo është përdorur apo jo.
Në njoftim thuhet edhe se Qendra për Vlerësim i ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe janë pajisur me udhëzimet përkatëse.
Për informata të detajuara, udhëzime dhe rregulla për kandidatët, vizitoni: https://mash.rks-gov.net/…/informata-udhezime-dhe…
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.
