Një situatë e papritur ka ndodhur dje, teksa në bulevardin e “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë mbahej ceremonia e gardës mbretërore të Norvegjisë në bashkëpunim me Orkestrën Frymore të FA në vendin tonë.
Një grua ka humbur ndjenjat pasi ka pësuar gjendje të fikëti në momentin që ceremonia vazhdonte. Por garda novergjeze është bërë mburojë përreth saj, teksa ajo merrte ndihmën e parë mjekësore, për të shmangur sytë kureshtarë.
Performanca e mbajtur një ditë më parë u ndoq nga qindra qytetarë në rrugët e kryeqytetit.
Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorë të vendeve të huaj, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se prezenca e Gardës së Norvegjisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërmjet 1000 eventeve që po zhvillohen në kuadër të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e konsideroi këtë aktivitet vijimin e një raporti shumë të mirë që Shqipëria dhe Norvegjia kanë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s.