Tenderi 28 milionë dollarë! Nën hetim zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme

Detaje te reja nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Pas arrestimit të 9 zyrtareve të Ministrisë së Brendshme, mësohet se hetimi është duke u shtrirë lidhur me përfshirjen e zyrtareve dhe ish-zyrtareve të tjerë të kësaj ministrie. Dëshmia me e fortë kundër të arrestuarve është ajo e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili mësohet se ka dale kundër tenderit të uniformave dhe madje nuk ka pranuar ta firmoste atë. Procedurat për këtë tender me vlerë afro 28 milionë dollarë, kanë nisur që në vitin 2019.

I gjithë procesi është shoqëruar më dritë hije, pasi është anuluar dhe rihapur si garë, ka patur ndryshime të specifikimeve teknike, të pjesëmarrësve, derisa në korrik të viti të shkuar u përmbyll duke shpallur fitues një konsorcium të udhëhequr nga kompania D&E, me administrator Ismail Kadiun. Shkelja e pare e kryer nga zyrtaret e ministrisë së Brendshme është procedura e tenderit. Se dyti ata kanë bashkuar tre objekte në një, çka do të thotë se një kompani mund të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën 3 zëra. Se treti, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë në zërat e tenderit në menyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin.

Nëntë zyrtarët e arrestuar pritet të dalin të hënën përpara gjykatës për masën e sigurisë. Të gjithë akuzohen për “Shkelje të barazisë në tendera”. Sipas Prokurorisë se Posaçme, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues./BW

Shtuar 11.07.2021 14:05