Grevë në fabrikat e gjigantëve amerikanë për prodhim të makinave, punëtorët kërkojnë rritje page

Mbi 13 mijë punëtorë të tri kompanive më të mëdha amerikane për prodhim të makinave e kanë nisur grevën në orët e para të së premtes, kanë bërë të ditur sindikatat e tyre.

Puna është stopuar në tri fabrikat në pronësi të General Motors, Ford dhe Stellantis, në Misuri, Miçigan dhe Ohajo.

Greva ka nisur pasi kontratat e punëtorëve kanë skaduar në mesnatën e së enjtes.

Sindikata e Bashkuar e prodhuesve të makinave ka thënë se kompanitë nuk i kanë pranuar ofertat.

Kjo luftë mes dy palëve rrezikon t’i rrisë çmimet e makinave dhe të shkaktojë çrregullim për gjigantët e industrisë së makinave.

Presidenti i sindikatës Shawn Fain, i ka thënë transmetuesit britanik BBC se u takon kompanive që ta zgjidhin krizën.

“Kur ata të nisin të kujdesen për punëtorët e tyre, kjo do të mbarojë”, ka thënë ai.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden ka biseduar me presidentin e sindikatës, Fein, lidhur me negociatat, mirëpo nuk ka ofruar më shumë hollësi.

Sindikata ka kërkuar 40 për qind rritje të pagës për 140.000 punëtorë përgjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Në mesin e kërkesave tjera janë: katër ditë pune në javë, rritje automatike të pagës në përputhje me rritje të inflacionit, kufizime më strikte se për çfarë periudhe mund të konsiderohet një staf “i përkohshëm”.

Kompania Ford ka thënë se këto propozime do t’ia rrisnin më shumë sesa dyfish shpenzimet për punëtorët në Shtetet e Bashkuara. /REL


Shtuar 15.09.2023 08:58

Tags: , ,