Greqia synon thellimin e bashkëpunimit me Kosovën

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, tha të premten në Prishtinë, se Greqia është e interesuar të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Kosovën, ndërsa theksoi se vendi tij do të ndjek një qasje konstruktive kundrejt statusit të saj politik.

Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka pranuar pasaportat e saj dhe ka lejuar hapjen e një zyre tregtare të Kosovës në Athinë.

“Ju e dini mirë që Greqia ndjek një qasje konstruktive në lidhje me Kosovën në përputhje me qasjen neutrale të Bashkimit Evropian ndaj statusit të saj”, tha ai duke nënvizuar se dy vendet kanë bashkëpunim të mirë nëpërmjet zyrave për çështje ekonomike.

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se me ministrin grek janë pajtuar që në të ardhmen të avancohet statusi i zyrës së Kosovës në Athinë, nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në zyrë interesi në çështje jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike. Ajo tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të ishte ndihmesë thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit.

“Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, Kosovën dhe Serbinë. Por, duke pasur parasysh që Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër, ne afirmojmë që me Greqinë dhe partnerët tjerë të Bashkimit Evrpian dhe jashtë tij, të vazhdojmë dialogun edhe rreth kësaj çështjeje”, tha ministrja Gërvalla.

Ministri Dendias, i cili takoi në Prishtinë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, tha se Greqia mbështetë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ndërsa bëri thirrje për kujdes nga ndërhyrjet e fuqive tjera në rajon.

“Ne nuk duhet të lejojmë që fuqitë e tjera të dëmtojnë qëndrueshmërinë e brishtë të rajonit tonë duke u përpjekur të krijojnë sfera të ndikimit ose duke u përpjekur të ndërhyjnë duke iu referuar lidhjeve kulturore, historike ose fetare. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i përket Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së”, tha ai duke bërë thirrje për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim plotësisht vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Unë përfitoj nga kjo mundësi sot edhe një herë, t’u bëj thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që të arrihet një zgjidhje ligjërisht e detyrueshme dhe e zbatueshme. Një zgjidhje e tillë do të bëjë mrekulli për të stabilizuar gjithë rajonin, si dhe për ta sjellë rajonin pranë familjes së Bashkimit Evropian’, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen për herë të parë nga mesi i këtij muaji në Bruksel në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të përgatitjeve të këtij takimi Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguri i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për përshpejtimin e procesit por edhe për të përçuar mesazhin e bashkërendimit transatlantik kundrejt bisedimeve ndërmjet dy vendeve dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh, të cilat janë kundërshtuar nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara./albeu.com