Nga Yanis Varoufakis “New Statesman”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“Si cjapi tek kasapi!” ishte mënyra se si një fqinj im i moshuar e përshkroi vdekjen e të rinjve që udhëtonin në linjën e trenit Intercity 62, që mbrëmjen e 28 shkurtit u përplas kokë më kokë me një tren mallrash në Greqi duke i shkaktuan vdekjen 57 njerëzve.
Shumica e viktimave ishin studentë që po ktheheshin pas një fundjave të kaluar në Athinë në universitetet e tyre në Selanik. Më shumë se 80 të tjerë u plagosën, 25 prej tyre në gjendje të rëndë. Dhe një komb i tërë u zhyt në zi dhe në një vetë-reflektim të thellë.
Ngjashëm me katastrofën e Paddingtonit të vitit 1999, ky aksident shkaktoi debate të mëdha mbi ndikimin e degradimit dhe privatizimit të rrjetit hekurudhor. Sapo dëgjova lajmin tronditës, mendja ime u kthye në vitin 2015 kur, si Ministër i Financave i Greqisë, u përfshiva në negociata të tensionuara me “trojkën”: Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar .
Edhe në atë kohë, privatizimi i hekurudhave tona ishte një çështje që ata e kishin shumë për zemër. Një nga parakushtet që më vendosi trojka gjatë negociatave për borxhin ishte që unë të nënshkruaja një memorandum mirëkuptimi (MoU), sipas të cilit trenat tanë do të shiteshin për një vlerë të vogël tek një kompani shtetërore italiane e cila kishte problemet e veta, porti ynë kryesor do t’i jepej me koncension një kompanie shtetërore kineze dhe aeroportet tona do t’i merrte nën administrim një kompani shtetërore gjermane.
Pra t’ia jepnim kontrollin e pjesës më të madhe të infrastrukturës 3 shteteve të huaja. Natyrisht, u thashë që ta harronin këtë gjë, dhe po këtë përgjigje i dha edhe populli grek në referendumin e korrikut 2015. Mjerisht, kryeministri i atëhershëm, Alexis Tsipras, iu bind Brukselit duke më detyruar të jepja dorëheqjen si Ministër i Financave.
Pas atij momenti unë themelova MeRA25 – një parti e re opozitare. Ndërkohë trenat, aeroportet dhe portet kishin shkuar tek kompanitë e preferuara të trojkës. E pa kundërshtuar nga partia e majtë në pushtet, Syriza, axhenda e privatizimit u bë dominuese në atë kohë krize.
Çuditërisht, Demokracia e Re neo-liberale u rikthye në qeverisjen e vendit në 2019. Ndërsa nuk pati kurrë ndonjë mbështetje të madhe publike për privatizimet në masë, nuk pati nga ana tjetër as ndonjë kundërshtim serioz ndaj tij. Kjo deri në aksidentin hekurudhor që vrau kaq shumë njerëz.
Papritur, qasja ndryshoi për shkak të dhjetëra mijëra të rinjve që nisën të protestonin nëpër rrugë, axhenda e privatizimit e humbi legjitimitetin e saj. Shembja e papritur e hegjemonisë së neoliberalizmit nuk mund të kishte ardhur në një moment më të keq për oligarkët.
Me zgjedhjet parlamentare në prag, kapaciteti i tyre për të ruajtur dhe zgjeruar zotërimin e tyre mbi asetet publike po duket i brishtë për herë të parë që nga viti 2015. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili po shijonte lavdinë e restauratorit të establishmentit, është tani në panik nga rikthimi i zërave disidentë.
Ndërkohë, Syriza, e cila privatizoi kaq shumë asete publike nën syrin vigjilent të trojkës, duket e paaftë që të tërheqë votuesit e pakënaqur. Në vend të saj është MeRA25 dhe parti të tjera të vogla që po forcohen në sondazhe. Dhjetë ditë pas aksidentit, isha duke darkuar me partneren dhe kolegët e mi në vendim tonë të zakonshëm – një restorant në Exarcheia, në periferi e Athinës, e njohur për komunitetin e saj anarkist, por edhe për praninë e fortë të policisë.
Gjysmë ore pasi mbaruam së darkuari, një grup prej 7 banditësh hynë në restorant me qëllimin e qartë për t’u përballur me mua. Për të shmangur një zënkë, i thashë që të dalim në rrugë dhe atje mund të thoshin çdo lloj ankese që kishin për mua.
Dhe ndërsa po dilnim nga restoranti, nisa të shtyhesha dhe të goditesha nga drejtuesi i tyre. Ndërkohë njëri prej tyre më denoncoi si nënshkrues të memorandumit të urryer të privatizimit të hekurudhave. Sapo doli jashtë, drejtuesi i grupit, një burrë në fund të të 20-ave më goditi me grusht në fytyrë. Unë e humba ekuilibrin dhe u rrëzova në trotuar.
Në atë moment ai vazhdoi të më godiste 2 herë në fytyrë përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes së bashku me shoqëruesit e tij. Duke pasur shumë gjakderdhje dhe me ndihmën e kolegëve të mi të tronditur nga ajo që panë, u nisëm me shpejtësi drejt spitalit, ku një staf i mrekullueshëm u kujdes për të kuruar hundën time të thyer dhe kornenë e njërit prej syve
që ishte plasaritur.
Dy orë përpara se i pari nga 6 dëshmitarët okularë të jepte një deklaratë në polici, Ministria e Brendshme e pa të arsyeshme të njoftonte se sulmuesit e mi ishin identifikuar dhe se një 17-vjeçar, dhe më vonë një 19-vjeçar, ishin shoqëruar në polici. Një javë më pas u thirra për të dhënë deklaratën.
Oficerja e policisë gjyqësore më tregoi fotot e 3 të rinjve të cilët nuk i njihja. Asnjë prej tyre nuk i ngjante sulmuesit tim, të cilin e njoha qartë në pamjet e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, trollët e së djathtës në mediat sociale dhe vetë Ministri i Brendshëm përhapën lajmin e rremë se unë po mbroja sulmuesit e mi “të majtë”.
Madje disa shkuan aq larg sa pretenduan se unë e kisha organizuar vetë sulmin për të fituar kredite tek elektorati. Ndonëse çështja mbetet nën gjykim, nuk do të flas më tepër për këtë çështje. Megjithatë, nga pikëpamja politike, është e pamundur të mos vërej se si qeveria u përpoq ta kornizonte sulmin.
Së bashku me aleatët e saj mediatikë, ajo më portretizoi si një politikan anti-establishment që ra pre e të rinjve të nxitur nga një furi e dhunës pikërisht për shkak të retorikës së përdorur nga politikanë si unë. Ata bënë të pamundurën për të barazuar, në mendjen e publikut, sulmuesit e mi me mijëra të rinj që tregonin tërbimin e tyre anti-establishment për 57 viktimat.
Të marra së bashku me viktimat për shkak të politikave mizore kundër emigrantëve në Detin Egje, përgjimin e gazetarëve dhe politikanëve të opozitës dhe standartet e dyfishta ndaj oligarkëve tanë në lidhje me naftën ruse, ngjarjet e fundit tregojnë për një model të qartë: shndërrimin e vazhdueshëm të Greqisë në një “demokraci jo liberale” si ajo që propagandon kryeministri hungarez Viktor Orban.