Dy persona të maskuar grabitën nën kërcënimin e armës një person në Kamzë. Ngjarja ndodhi më 1 prill.
Ditën e sotme policia përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se ka arrestuar njërin prej autorëve, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Expensive” u bë arrestimi i shtetasit S. K., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi Q. H., 32 vjeç, të dy banues në Paskuqan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi S. K., në bashkëpunim me shtetasin Q. H., në një biznes (pikë për shitjen e automjeteve), në Bathore, Kamëz, i kanë marrë pronarit të biznesit, shtetasit Xh. Sh., orën e dorës dhe varësen që kishte vënë, duke e kanosur atë me armë zjarri.
Gjatë kontrollit në banesat e autorëve të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 ora dore, 2 varëse dhe 2 byzylykë floriri, me vlerë të konsiderueshme, të dyshuara të vjedhura, një sasi municioni luftarak, një aparat celular dhe automjeti që dyshohet se kanë përdorur autorët për t’u larguar pas vjedhjes.
Vijon puna për kapjen e shtetasit Q. H., si dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas dhe nga shtetasi i arrestuar S. K.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/.