Grabitën me armë karburantin në Krujë, arrestohen dy kushërinjtë nga Nikla

Skënder dhe Zenun Cangu, kushërinj me njëri tjetrin, janë arrestuar nga ana e Policisë, pasi në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë grabitur një karburant në Krujë.

Atyre iu është sekuestruar një armë zjarri, si dhe veshja dhe makina që përdorën gjatë grabitjes, ndërsa të dy janë me banim në fshatin Nikël.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjola”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja me armë në një pikë karburanti në Krujë. Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, mjeti dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.

Në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë, persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri kanë marrë një sasi vlere monetare në një pikë karburanti dhe janë larguar.

Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Bazuar mbi provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Gjola”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë (kushërinj me njëri-tjetrin).

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Shtuar 12.04.2021 11:06