Një gjykatë në Moskë ka dënuar gjigantin teknologjik, Google, me 40,750 dollarë, për shkak se kompania ka refuzuar të lokalizojë të dhënat personale të përdoruesve të saj në Rusi.
Moska ka synuar që t’i detyrojë kompanitë e huaja për të hapur zyre në Rusi dhe për të ruajtur të dhënat e banorëve të këtij shteti në territorin rus.
Gjykata në rajonin Taganka në Moskë, e ka bërë të ditur vendimin më 29 korrik.
Javën e kaluar, gjykata e njëjtë ka dënuar kompanitë Google, Twitter dhe Telegram, pse nuk kanë fshirë përmbajtjen që Moska e konsideron joligjore.
Moska pretendon se është duke tentuar të frenojë hovin e gjigantëve perëndimorë të teknologjisë, si dhe të forcojë, atë që e konsideron “sovranitet” të internetit.
Mirëpo, kritikët besojnë se autoriteet janë duke tentuar që të heshtin disidentët, teksa afrohen zgjedhjet e muajit shtator dhe bie mbështetja për partinë në pushtet.
Në qershor, gjykata ka dënuar Facebook-un me mbi 200,000 dollarë dhe kompaninë tjerë Telegram me mbi 136,000 dollarë, për ato që i ka konsideruar “shkelje administrative”, pasi të dyja kanë dështuar të fshijnë përmbajtjen që konsiderohet e ndaluar në Rusi.
Twitter dhe gjiganti amerikan Google, janë gjobitur po ashtu në të kaluarën për shkelje të ngjashme./REL