Një mot i përkeqësuar ka shkaktuar pasoja të rënda në Kretë, ku reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje të mëdha, dëme materiale dhe vështirësi në disa pjesë të ishullit. Lumenj e përrenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa uji ka pushtuar rrugë, banesa dhe automjete.
Të lidhura
None found
Stuhia ka marrë edhe një jetë në Rethymno. Viktima është një 80-vjeçar, i cili merrej me blegtori dhe ishte larguar për të kontrolluar tufën e tij, por nuk ishte kthyer më.
Ndër zonat më të prekura është Mylopotamos, ku reshjet e mëdha kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëmtime të rrugëve. Në disa fshatra, uji ka depërtuar në banesa, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve.
Probleme të shumta janë raportuar edhe në Heraklion, pasi lumi Drakouliares ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur zonat përreth. Ekipet e emergjencës janë mobilizuar për të ndihmuar personat e bllokuar dhe për të menaxhuar situatën e krijuar.
Rrjedhat e ujit kanë marrë me vete disa automjete, ndërsa në akse të ndryshme rrugore janë grumbulluar baltë dhe materiale të sjella nga përmbytjet. Kjo ka shkaktuar pengesa të konsiderueshme në qarkullim.
Gjatë stuhisë është regjistruar edhe një incident i pazakontë në një banesë, ku rrufeja ka goditur oxhakun. Përplasja e fuqishme e ka çarë atë në dysh dhe ka shkaktuar një zhurmë të fortë, aq sa banorët menduan se kishte ndodhur një shpërthim.
Shërbimet e emergjencës dhe ekipet e mbrojtjes civile vijojnë punën në terren dhe qëndrojnë në gatishmëri. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, si dhe zonat pranë lumenjve dhe përrenjve.
Rreziku për përmbytje të tjera dhe rrëshqitje dheu mbetet i pranishëm për shkak të reshjeve intensive. Ndërkohë, ekipet po pastrojnë rrugët, largojnë ujin dhe po përballojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia.
