Goditi 50 herë më grushte dhe vrau italianin, kërcënohet në burg Klajdi Mjeshtri: Je një i vdekur që ecën!

Giuseppe Tucci, zjarrfikësi nga Foggia i cili u sulmua nga një shqiptar në një disko në Rimini, vdiq në spital nga plagët e marra disa kohë më parë.

Shqiptari Klajdi Mjeshtri u arrestua, dhe tani, më shumë se një muaj më vonë historia tragjike rrezikon të përshkallëzohet sepse shqiptari është kërcënuar me vdekje përmes një letre anonime.

“Ti do ta marrësh vesh se çfarë do të thotë  të vrasësh një nga vëllezërit tanë nga Foggia. Jozefi do të hakmerret. Ai shqiptar është një i vdekur që ecën”, shkruhet në letrën dërguar redaksive të dy gazetave lokale.

Në foto Klajdi Mjeshtri dhe Giuseppe Tucci

Giuseppe Tucci u rrah natën mes 10 dhe 11 qershorit nga 28-vjeçari shqiptar Klajdi Mjeshtri. Dyshohet se Mjeshtri fillimisht e shqoëroi zjarrfikësin jashtë diskos dhe më pas e rrahu.

Tucci punonte në repartin e zjarrfikësve të aeroportit “Fellini” duke ndjekur hapat e babait të tij Klaudios, njëkohësisht drejtues ekipi i zjarrfikësve në Potenzë.

Letra, e shkruar në një kompjuter në një fletë A4, iu dorëzua policisë e cila po merret me hetimet për vrasjen.

Është kërcënuar edhe avokati i Mjeshtrit.

“Pas një kohe të shkurtër – shkruhet ende në letër – ata do të zbulojnë se çfarë do të thotë të vrasësh një nga vëllezërit tanë nga Foggia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ne e dimë shumë mirë kush janë, sa janë, ku jetojnë, nga vijnë. Jozefi do të hakmerret. Ne kemi përgatitur një surprizë të bukur për ta ”.

Të habitur nga lajmi i letrës ishin prindërit e Giuseppe Tucci-t dhe, në veçanti, babai i tij Claudio.

“Unë dhe gruaja ime, thotë Claudio Tucci, u habitëm kur lexuam lajmin e asaj letre. Jo vetëm sepse ka rihapur një plagë edhe më shumë, një tragjedi ende e gjallë në zemrat tona, por sepse nuk e kemi idenë nga kush është shkruar.”

Babai i Giuseppes thekson se hakmarrja nuk është pjesë e mënyrës së tyre të jetesës.

“Hakmarrja nuk na përket neve.”

Që nga dita pas tragjedisë, vazhdon Claudio, ne gjithmonë kemi kërkuar drejtësi.

“Djali im u vra. Por atë natë nuk ishte vetëm ai që u vra, ata më vranë mua, gruan dhe vajzën time. Por ne nuk duam më dhunë. Giuseppe duke vdekur dhuroi organet e tij duke shpëtuar jetën e dhjetë njerëzve. Si mund të kërkojmë hakmarrje dhe më shumë dhunë. Ne duam vetëm drejtësi”.


Shtuar 3.08.2023 12:38