Goditet “Call Centeri” në Tiranë, 3 persona në pranga, si i mashtronin të huajt për të investuar në bursa fiktive

Tre persona, të cilët mashtronin shtetasit e huaj për të investuar në bursa fiktive janë vënë në pranga nga policia e Tiranës.

Në kuadër të operacionit “Hide call” u vunë në pranga shtetasit E. I., 21 vjeç, M. K., 22 vjeç dhe U. T., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. U., 22 vjeç, K. T., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. T., 25 vjeç.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas ishin të punësuar në një subjekt call center, në Yzberisht, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex”, njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com 


Shtuar 15.11.2023 10:43