Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë një takimi me strukturat e policisë u ka kërkuar të intensifikojnë luftën ndaj krimit dhe të rritet akoma më shumë forca goditëse dhe të mos ndalojnë operacionet për goditjen e grupeve kriminale
“Të bëhet punë policore profesionale, që grupet apo elementet e veçuara kriminale të mos gjejnë qetësi dhe terren të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre”, ishte porosia e qartë e drejtorit të policisë.
Nano ka kërkuar që të vijojë kontrolli i territorit “nga toka dhe nga ajri, me dronë, për parandalimin e kultivimit të kanabisit”.
Ndërsa për ato zona “që do të raportohen të pastra, por më pas nga monitorimi ajror do evidentohen bimë narkotike të mbjella, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e strukturave policore që mbulojnë këto territore dhe masat do të jenë shumë ta ashpra”, ka paralajmëruar drejtori Nano.
Nano është ndalur edhe te ecuria e testit të drogës për punonjësit e Policisë.
“Çdo titullar i strukturave vendore të grumbullojë informacion dhe të dërgojë në mënyrë të befasishme për të kryer testin e drogës ata punonjës që dyshohet se mund të përdorin lëndë narkotike. Ky është një proces që do të jetë në vijimësi dhe nuk do të mbarojë kurrë, ndaj vlerësojeni me shumë seriozitet”, ka kërkuar Nano.
Njëkohësisht, Drejtor Nano ka kërkuar nga të pranishmit në mbledhje, që të evidentojnë rastet e konflikteve ndërmjet punonjësve të Policisë dhe t’u japin zgjidhje shteruese, në rast se ka raste të tilla.