Gjyq i pazakontë në Fier, 77-vjeçari dënohet për plagosje me çifte të maçokut

Një gjyq i pazakontë është zhvilluar në ambjentet e gjykatës së Fierit, pasi prokuroria e këtij qyteti ka çuar në bankën e të akuzuarve, duke marrë të pandehur një 77-vjeçar të quajtur, Pandeli Stefa.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Elton Qyno. Ai shkruan: Çdo ditë raportoj, mbi veprimtarinë e gjykatave dhe kryesisht veprimtarinë e botës kriminale, për “Dumanin”, “Xhamanin”, “Tarzanin” e kategorinë e tij, por si kjo ngjarje kriminale dhe si ky proces gjyqësor, nuk kisha hasur dhe s’kam pasur fatin të raportoj.

Pas lajmit që kam publikuar disa kohë më parë se policia kriminale e Elbasanit, kishte zbuluar se Qeni i Qaniut në Belsh, kishte mbytur Qelbësin dhe në ndjekje penale për vrasjen e kafshës së egër, ishte vënë Qaniu.

Në fakt inspektori OPGJ, që ndoqi hetimet për rastin e Qenit të Qaniut, u ngrit në detyrë dhe nga inspektor në komisariatin e Cërrikut, u emërua shef krimesh në Komisariatin e Librazhdit.

Por tanimë një ngjarje akoma dhe më e rëndë që ka tërhequr vëmëndjen e gjithë policisë, paska ndodhur në Fier.

Në Fier paska ndodhur gjëma dhe askush nuk e paska ditur. Madje as Artan Hoxha s’ka pasur informacion, që siç e çuan ai qytetin e Fierit se është “Universiteti i Krimit në Shqipëri”.

Ja pra që në 30 korrik 2020, Salla Operative në Policinë e Fierit, ka marrë njoftimin se në lagjen “Sheq i Vogël”, paska krisur arma dhe si pasojë, kishte dhe dëmtime në qënie të gjalla.

Llazi Kuqi, telefononte policinë se në banesën e tij, komshiu Pandeli Stefa, i ka qëlluar me armë gjahu macen e tij dhe më konkretisht maoçokun “Pipo”.

Situata nuk u neglizhua fare. Por forcat e vëzhgim-hetimit të policisë Fier, lanë përgjysëm punën për ndjekjen e disa grupeve kriminale dhe hynë direkt në veprim.

Oficerë të policisë kriminale, shkuan në vendgjarje dhe kqyrën vendin e krimit, duke dokumentuar çdo provë në procesverbal dhe njëherësh shoqëruar me tabelë fotografike.

“…përpara hyrjes së banesës, dallohen njolla me ngjyra të kuqe si ato të gjakut në formë vazhde…”-thuhet në procesverbal.

Madje në veprime e sipër, në dobi të këtij hetimi policia ka bërë dhe bllokimin e armës së gjahut, që e posedonte i pandehuri Pandeli Stefa, e cila ishte një armë gjahu pushkë teke, e markës ruse, e llojit Bajkal, kalibër 12mm.

Ndërsa maçoku “Pipo”, i cili dergjej i plagosur në oborrin e shtëpisë, është transportuar me shumë urgjencë në një spital veterinar, duke marë ndihmën e parë mjekësore.

Por për shkak të plagëve të mara dhe dëmtimit të rëndë të një prej këmbëve të pasme dhe bishtit që s’mund të rikuperohej, “Pipo” është transportuar jashtë shtetit për një mjekim më të specializuar.

Mirëpo duke qenë se maçoku kishte pësuar dëmtime të mëdha dhe pronarit të tij, Llazi Kuqi, i kishin kërkuar 300 euro për vendosje proteze në këmbën e prapme, pasi ajo nuk riparohej, ai ja kishte lënë macen spitalit.

Nga ku më pas spitali, ja kishte dhënë një shoqate për kafshë në Itali dhe se maçoku “Pipo” aktualisht ndodhet në Itali, nën kujdesin e shoqatës së kafshëve.

Ngjarja kishte ndodhur dhe tashmë nuk mund të mbyllej më, as mes komshinjve dhe as me shtetin. Kjo pasi në lojë ka hyrë prokuroria e Fierit, ku një nga prokurorët ka rregjistruar procedim penal për veprën penale të “Keqtrajtimit të kafshës”.

Në gjyq kjo çështje mori përmasa akoma dhe më të mëdha. Pasi autori i krimit i pandehuri 77-vjeçar Pandeli Stefa, u pendua dhe filloi të flasë dhe të tregojë rrethanat e krimit.

Stefa i tha gjyqtares Erlanda Agaj se maçoku “Pipo” deri në datën 16 Gusht, rezultonte se hynte dhe dilte në oborrin e shtëpisë së tij dhe ishte shëndoshë e mirë, dhe nuk kishte asnjë dëmtim. Madje për këtë 77-vjeçari ka paraqitur dhe fotografi të Macokut në oborrin e tij.

Sipas tij, komshiu nuk kishte të dokumentuar asnjë faturë tatimore, apo dokument të regjistruar për hospitalizimin e maces dhe nuk ka asnjë provë, sesi është kaluar macja nga Shqipëria në Itali dhe nuk u tregua asnjë adresë e maces.

Ilir Kuqi, pronari i maçokut, është thirur në gjykatë, për të dëshmuar rreth asaj që kishte ndodhur. Kuqi ka treguar se, ka pasur kafshë shtëpiake, një maçok i cili quhej “Pipo”, të cilin e kanë marrë kotele tek një kushuriri i tyre, e kanë birësuar dhe ishte një vjeç e pak, dilte me orar e shoqëronte vetë ai.

Në fund të korrikut të vitit 2020, rreth orës 08:00, Maçoku i është plagosur rëndë, kur ka dëgjuar një krismë arme, ka qenë në gjumë, kur i ka thirrur nëna e tij “…Ilir, kanë vrarë maçokun…”.

Maçoku erdhi zvarrë zvarrë, iku përsëri, përmes gjurmëve të gjakut e ka kërkuar, pastaj ka dal dhe nga ora 2-3 e ka marr i ati në telefon, e i ka treguar se ka ardhur maçoku në shtëpi, ka shkuar në shtëpi, e ka marrë, ka parë që maçku kishte shenja arme zjarri, këmbën e thyer e të shqyer, dhe e ka çuar në spitali.

Dëshmitari tregoi se maçokun e qëlloi fqinji i tyre përballë, Pandeli Stefa, me të cilin kanë pasur konflikte banale, por nuk ka pasur ndonjëherë ankesë nga ai se maçoku i ka dëmtuar shpendët.

Nisur nga kjo situatë në fund të gjykimit prokurori i çështjes,Çlirim Sino, kërkoi para gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me 1 milion lekë gjobë të 77-vjeçarit Pandeli Stefa.

Ndërsa nga ana e mbrojtjes u kërkua deklarimi i tij I pafajshëm dhe kthimin e armës çifte tek i zoti.

Pasi dëgjoi të dyja palët në proces, gjyqtarja e Fierit, Erlanda Agaj, vendosi të deklarojë fajtor dhe dënojë 77-vjeçarin Pandeli Stefa, duke e detyruar këtë të fundit që me shpenzimet e veta financiare, të bëjë publikimin e vendimit në media,pasi sipas gjykatës njohja e këtij vendimi, ka interes për shtetasit dhe mbrojtjen e kafshëve.