Gjykata e Apelit në Janinë jep “dritën jeshile” për ekstradimin e Laert Haxhiut drejt Shqipërisë

Laert Haxhiu, i arrestuar në Greqi ka dalë ditën e sotme para Gjykatës së Apelit në Janinë, lidhur me kërkesën për ekstradimin e tij në vendin tonë.

Seanca ka nisur në orë 14:00 me orën lokale greke.

Mësohet se Gjykata e Apelit të Janinës ka dhënë vendim pozitiv për ekstradimin e Haxhiut.

“Për ekstradimin e Haxhiut, Gjykata e Shkallës së Dytë të Janinës propozoi pozitivisht. Por Haxhiu ka të drejtë, sipas legjislacionit grek, të kërkojë shqyrtimin e ekstradimit të tij nga Gjykata e Lartë.”

Haxhiu rezulton i dënuar me 18 vite burg në vendin tonë.

Për Haxhiun ka një vendim nga Gjykata e Lartë si dhe rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani ku e implikon Haxhiun ne disa vrasje dhe krime të tjera.

Laert Haxhiu përfaqësohet në Athinë nga avokati shqiptar Detar Hysi dhe jurist grek të cilët më herët kanë mbrojtur interesat ligjore të Bledar Jambellit i akuzuar si autor i vrasjes së Artan Cukut./Albeu.com


Shtuar 18.10.2023 14:41