Gjonaj mbledh gjithë drejtorët e burgjeve, ka këto porosi

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka mbledhur drejtorët e çdo burgu dhe IEVP-je të sistemit të burgjeve në vend. Gjonaj ka marrë nën analizë të gjithë veprimtarinë e secilës IEVP dhe ka komunikuar drejtpërdrejt me titullarët duke kërkuar gatishmëri të shtuar dhe rritje maksimale të masave të sigurisë në burgje edhe pse ndodhemi në fushatë elektorale.

Ministrja Gjonaj i ka porositur ata puna e tyre ka të bëjë pikërisht vetëm me çështjet e sigurisë dhe se nuk do të lejojë kurrsesi dhe nuk do të falë askënd, që cënon sigurinë në burgje për këto ditë që është edhe fushata elektorale.

‘Përsa kohë që lejet e veçanta tashmë janë të pezulluara për më shumë se sa një vit dhe ai urdhër është në fuqi nënkuptohet që askush për asnjë motiv dhe në asnjë moment nuk mund ta shkelë këtë urdhër. Lejet e veçanta speciale dhe çfarëdolloj emërtimi t’i vendosni ju janë tërësisht të ndaluara, tërësisht të ndaluara deri në një urdhër të dytë’, citohet Ministrja Gjonaj.

Gjonaj theksoi prerë se është absolutisht e ndaluar që forcat policore të burgjeve të angazhohen nëpër fushata elektorale dhe se do të marrë masa drastike në të kundërt.

Një nga porositë e tjera në takim ishte se duhet të merren të gjitha masat që asnjë send i palejeshëm të futet në institucione, sidomos celularët dhe lëndët narkotike apo sende të tjera që mundet të sjellin një rrezik për pjesën e sigurisë në institucione.

“Shumë të rëndësishme janë masat për të garantuar moskomunikimin e subjekteve të ndryshëm kriminalë që janë brenda me njëri-tjetrin, kur ka indicie që këta të dënuar apo të paraburgosur mund të sjellin një shqetësim, edhe në këtë periudhë që është fushata elektorale.“

Gjonaj deklaroi se sistemi 41 Bis është hapi më kurajoz dhe më i suksesshëm që është ndërmarrë në sistemin penitenciar dhe se nuk do të lejojë askënd që ‘të mbyllë njërin sy’ e ‘të mbyllë njërin vesh’, që të mos respektojmë rregullat që duhet të ketë 41 Bis. Monitorimi i rreptë për regjimin 41 Bis do të bëhet nga drejtori i Policisë së Burgjeve dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjithashtu analizoi pjesën e masave që duhen marrë për administrimin e procesit zgjedhor pasi pothuajse të gjitha IEVP-të, do të kenë qendra votimi. Nga ana e stafit tuaj, sidomos atij ligjor, do të duhet të merren masa që t’i jepet mundësia administratës zgjedhore që të bëjë mbarëvajtjen e procesit.

Ministri Gjonaj theksoi se duhet të merren masat për pajisjen me letërnjoftime, me karta identiteti të të gjithë atyre të dënuarve që lejohen të votojnë dhe që duan të votojnë, me qëllim që të mos kemi asnjë pengesë të atyre që duan të ushtrojnë të drejtën e votës.

Gjonaj deklaroi se përsa i përket administrimit të procesit zgjedhor edhe në ditën e votimit, situata duhet të jetë maksimalisht e rregullt dhe se nuk do të tolerojë asnjë lloj problematike në IEVP.

Ministrja e Drejtësisë gjithashtu risolli në vëmendje respektimin maksimal të protokolleve anticovid dhe se nuk do të tolerojë asnjë infektim në grup të të dënuarve pasi kjo do të thotë që masat anticovid nuk po respektohen. Ajo theksoi se në një vit pandemi, administrimi i situatës anticovid në burgje ka qenë një histori suksesi dhe se nuk do të lejojë askënd të njollosë këtë histori, sidomos tani kur kemi dritë në fund të tunelit të pandemisë.

Gjonaj deklaroi se janë vaksinuar deri tani 150 punonjës të personelit shëndetësor të burgjeve falë kërkesës së saj të drejtpërdrejtë. Njëlloj, do të përfshihen me prioritet në vaksinim punonjësit e Policisë së Burgjeve në të njejtën kohë me punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ministrja Gjonaj në fund të takimit u shpreh e vendosur se nuk do të lejojë asnjë drejtues të sistemit të burgjeve që të ulë vëmendjen ndaj sigurisë në këtë periudhë zgjedhore dhe nuk do të tolerojë asnjë njollë në historinë e suksesshme të administrimit 4-vjeçar të sistemit të burgjeve në vend.

Shtuar 5.04.2021 11:04