GJKKO pret ta marrë në pyetje, Berisha del LIVE

Teksa GJKKO pret ta marrë në pyetje, në orën 14:00, në orën 13:30 Sali Berisha ka nisur një konferencë për mediet në selinë blu.

Ish-kryeministri tha se procesi i iniciuar ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, janë goditje për reformat që ka ndërmarrë Partia Demokratike kur ka qenë në pushtet. Ai u ndal gjatë tek përdorimi i bonove të thesarit të përdorura për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Berisha: Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli.
Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite. Çdo demokrat duhet të ndjehet krenar me to.

Sali Berisha tha se, vendim i për letrat me vlerë, me anë të të cilave qytetarët kanë bërë privatizime dhe legalizime, ishte një sukses i madh.

Berisha tha se, këtë reformë të bërë nga qeverisja e PD-së, falangat e krimit po e paraqesin si argument kundër tij.

Berisha: Unë sot, jam këtu për të paraqitur vetëm njërën prej tyre, të cilën falangat të krimit politik, e paraqesin si fakt, argument se është ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim. Apo është ndërmarrë për korrupsion. Dhe kjo është vendimi për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e privatizimit me përparësi ish-pronarëve. Letrat me vlera, që ta dinë shqiptarët dhe u kujtohet, janë emetuar në Shqipëri dhe në shumicën e ish-vendeve komuniste si një mekanizëm me të cilën synohej që qytetarët të përfitonin nga privatizimi i ndërmarrjeve ku kishin shkrirë jetën e tyre në sistemin komunist. Ato u përdorën me sukses të madh fillimisht nga Megi Theçer dhe në Argjentinë dhe më pas në vendet ish-komuniste kudo.
Si president i Republikës, kam dekretuar në fillim të vitit 1995, emetimin dhe shpërndarjen e tyre. Bonot e privatizimit i janë shpërndarë falas qytetarëve sipas grupmoshave, por në fund të shpërndarjes, 1.3 milionë shqiptarë kanë pasur një bono privatizimi në xhep. Një variant i tyre ishin lekët e privatizimit. Lekët e privatizimit iu dhanë të përndjekurve politikë. Ato ishin në mënyrë absolute ekuivalente me lekun. Bonot askërkund nuk janë identike me monedhën e vendit, kanë një përafrim. Kurse ato që u shpërndanë për ish-të përndjekurit, kishin vlerën më reale të lekut.

Në këtë periudhë, bonot e privatizimit u përdorën për privatizimin e mijërave objekteve dhe dhjetëra e dhjetëra sipërmarrjeve të mesme, në atë kohë kjo ishte fusha e privatizimit dhe blerjes së banesave, legalizimit të banesave. Kurse të përndjekurve, lekët e privatizimit iu dhanë si dëmshpërblim për vitet e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Lekët e privatizimit funksionuan në mënyrë të përsososur. Me to, të përndjekurit blenë objekte, deri fabrika.
Në vitin 1997 procesi u ndërpre, por nuk u largua kurrë. Dhe në vitin 2020, kjo qeveri ka vendim për përdorimin e tyre.
Në vitin 2008, në prag të privatizimeve që ishin përpara, rikthehet përdorimi i tyre në masën 80 përqind me bono dhe 20 përqind me lekë. Ndërkohë pronarët blenë, në mos gabohem, rreth 20 miliardë lekë objekte që u privatizuan. Në total, pjesa tjetër konsumoi rreth 120 milionë euro apo dollarë, sipas një raporti të vitit 2014 të Ministrisë së Financave./Albeu.com 


Shtuar 24.10.2023 13:44