Një 25-vjeçare është gjetur e vdekur ditën e sotme në rrugën “Lekë Dukagjini” në Prishtinë.
Vdekjen e saj e kanë konfirmuar mjekët emergjentë, të cilët kanë dalë në vendngjarje.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 13:40, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 25 vjeç”, ka thënë Borovci.
Sipas policisë, ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, megjithatë hetimet janë duke vazhduar.
“Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka shtuar ai./albeu.com