“Gjatë qeverisjes së PD-së u bë korrupsion me naftën”, Basha: U pasuruan një grusht njerëzish

Ish-kreu demokrat Lulzim Basha vijon takimet me të rinjtë. Ditën e sotme ai ndodhej në qytetin e Beratit. Ai ka bërë një deklaratë të fortë teksa është shprehur se edhe gjatë qeverisjes së PD-së ka pasur korrupsion të madh me naftën shqiptare.

Përballë të rinjve, Basha tha se teksa po shkonte në Berat vuri re puset e naftës të braktisura dhe të ndryshkura për shkak të aferave korruptive.

Ai tha se për 10 vite ka denoncuar aferat e naftës në Shqipëri, por shtoi se kjo gjë nuk ka rritur kredibilitetin e qytetarëve te PD-ja, pasi siç u shpreh nuk kanë folur për korrupsionin gjatë qeverisjes së kësaj force politike.

“Po vija nga rruga e Dumresë dhe kalova nga fushat naftëmbajtëse, aty ka puse shumë të vjetra të ndryshkura. U kujtova për premtimet që i janë bërë të gjithë qarkut të Beratit nga këta por edhe nga ne. Ka disa konstante, disa të vërteta që në nuk i kemi thënë. Unë vij nga një përvojë e veçantë, përpara një viti e ca muaj unë kam dhënë dorëheqjen, dhe kur hedh një hap pas ke mundësi t’i shohësh gjërat pak më ftohtë. Sepse nganjëherë të merr vala përpara dhe harron të shohësh të rëndësishmen.

Ndërkohë që ngrinim gishtin dhe denonconim për 10 vite me radhë, me të drejtë aferat me naftën shqiptare, ne nuk flisnim për korrupsionin tonë me naftën. Para publike që duhet të vinin në Berat por nuk erdhën kurrë, u pasuruan një grusht njerëzish”, deklaroi Basha./Albeu.com./

 


Shtuar 5.06.2023 20:53