Prokuroria e Tiranës ka mbyllur tashmë hetimet për fisin Rraja në Krujë duke i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje. Ndryshimi i akuzës shkaktoi reagime të forta në publik pak ditë më parë, megjithatë prokurorët nuk kanë bërë asnjë hap pas.
Kjo, pasi qytetarët panë se goditjet e fisit të ish-deputetit socialist kundër dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja për shkak të sherrit për guroren në korrik ishin mjaft të rënda. Me hunj, sende të forta dhe armën tek koka. Njëri prej kushërinjve pësoi çarje në kokë.
Por prokurori Ylli Bashaj ka mbyllur hetimet në ngarkim të të pandehurve Eni Kullaj, Andi Rraja, Ineidi Raja, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta duke i akuzuar për plagosje të lehtë dhe kanosje ndaj Bilbil e Jashar Majës.
Pavarësisht se arma u pa qartë nuk është konsideruar vepër penale. Xhelal Rraja, Flamur Rraja dhe Rexhep Rraja ndodhet ende në arrati.