Gërmuan për 6 muaj një tunel 40 metra të gjatë, u “digjet” në fund plani i arratisjes të burgosurve në Maqedoninë e Veriut

Të burgosurit në burgun Idrizovë të Maqedonisë së Veriut kanë hapur një tunel 40 metra të gjatë për t’u arratisur.

Mediat maqedonase raportojnë se pas planit të arratisjes qëndronte një grup prej të paktën 8 të burgosurve të dënuar me dënime nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Tuneli me thellësi rreth 1 metër dhe diametër rreth 80 centimetra është hapur nga shëtitorja e pjesës së mbyllur të burgut dhe planifikohej të përfundonte në pjesën e jashtme të burgut.

Në tunel u gjetën disa shporta plastike me litarë të lidhur, të cilët përdoreshin për nxjerrjen e dheut të gërmuar dhe një kabllo elektrike me llambë, e cila përdorej për ndriçimin e tunelit.

Ka dyshime se i gjithë ky plan i mirëorganizuar është vënë në zbatim prej 6 muajsh nga të burgosur të shumtë, të caktuar me turne në varësi të orarit për të dalë në ajrim.

Vlen të thuhet se në burgun Idrizovë, vuajnë dënimet e tyre edhe shumë shtetas shqiptarë, të cilët kanë denoncuar shpeshherë kushtet e këqija.


Shtuar 21.03.2023 19:30