Qeveria e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, është duke përgatitur një kthesë historike në qëndrimin e saj ndaj Kosovës.
Kjo pritet të vijë përmes një deklarate që do të përfshijë njohjen e parë de facto të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Lajmin e bëri të ditur gazeta spanjolle “The Objective” përmes një artikulli të saj.
Sipas burimeve të gazetës, kjo mund të vijë përmes një zyre tregtare dhe kulturore në Prishtinë, megjithëse Zyra për Informim Diplomatik ka thënë se këto opsione nuk janë në tavolinë në këtë moment dhe se të tjera po shqyrtohen.
Lidhur me çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja dje ka folur edhe Sekretari i Shtetit për BE-në, Juan Gonzales-Barba, i cili e ka bërë të qartë se Spanja nuk do ta njohë diplomatikisht Kosovën derisa s’ka një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Por numri tre i diplomacisë spanjolle ka thënë se Spanja dëshiron që të jetë më e involvuar në rajon dhe një strategji e tillë do të ishte e çalë nëse vazhdohet me injorimin total të Kosovës.
Gonzalez-Barba ka thënë se vendimi i Spanjës “do të merret shpejt dhe do të bëhet publik”, duke nënkuptuar se një hap diplomatik është i pashmangshëm.
“Ne duam që vendimi të kuptohet nga Serbia, partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor, “shtoi ai, duke ditur se sa e ndjeshme është kjo çështje në Beograd.
“Ne duam të kontribuojmë në përpjekjet e të gjithë vendeve anëtare dhe të dërguarit të Përfaqësuesit të Lartë të ish-Ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak – për të arritur marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe shpresojmë se përpjekjet tona do të njihen dhe vlerësohen nga vendet e Ballkanit. “, përfundoi ai./albeu.com/