Gati për pushime? 3 vendet e vetme ku mund të udhëtoni pa asnjë pengesë

Shqipëria tashmë konsiderohet një vend Covid Free dhe të gjitha pikat e kalimit kufitar janë të hapura dhe në to mund të hyjë çdokush me mjet identifikimi, pa pasur nevojë për tampon.

Në një intervistë për News24, drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, tha se policia ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar këtë situatë.

“Shtimi i numrit të policisë në pikat e kalimit kufitar, hapja e disa pikave të reja. Në momentin që ka fluks të shtuar do të merret vendim për të bërë procedurë të përshpejtuar. Janë disa linja të reja ajrore që hyjnë nga Rinasi me turistë. Janë përgatitur disa fletëpalosje në shqip dhe në gjuhën e huaj dhe janë përcaktuar të gjitha detyrimet që kanë  policia dhe qytetarët”, u shpreh Merkaj.

Ëndrrat që shqiptarët të shkojnë me pushime jashtë vendit duken ende utopi, pasi pa tampon ata mund te udhëtojnë vetëm në 3 vende fqinje.

“Pa asnjë shtrëngesë janë vetëm tre vende, Mali i Zi, Maqedonia e veriut dhe Kosova”, tha Merkaj.

Pavarësisht hapjes së pikës së kalimit kufitar të Qafë-Botës, numri i qytetarëve që udhëtojnë drejt shtetit helen vijon të jetë i kufizuar. Lejohen vetëm ata që kanë leje-qëndrimi apo pasaportë greke ose janë punëtorë sezonalë. Në të gjitha rastet duhet tamponi negativ i bërë brenda 72 orëve.

“Sot është hapur pika e kalimit kufitar e Qafë Botës dhe numri është i kufizuar, jo më shumë se 250 shtetas. E njëjta situatë është edhe me Kakavijën dhe Kapshticën. Punëtorët sezonale mund të shkojnë duke patur kontratë dhe tamponin”, u shpreh Merkaj.

Drejt Italisë mund të udhëtojnë persona që kanë urgjenca mjekësore apo lidhje të ngushta familjare me rezidentë në Itali.

Turqia është gjithashtu një nga vendet drejt të cilit mund të udhëtosh me përgjigjen e tamponit për situatën Covid të 72 orëve të fundit.


Shtuar 7.06.2021 19:21